Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë ka thënë se Republika e Kosovës mund të merret si shembull i një shteti demokratik.
“Me demokraci nënkuptoj krijimin dhe promovimin e shteteve funksionale dhe solidaritetin mes shteteve”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, po të ishte Serbia një demokraci e vërtetë, nuk do të ishte kërcënim i paqes në rajon.
Po ashtu, ai ka thënë se po të ishte Rusia demokraci e vërtetë, nuk do ta sulmonte Ukrainën.
“Llogaridhënia ndaj popullit i largon nga lufta shtetet demokratike. Po te ishte Rusia demokratike nuk do ta sulmonte Ukrainën. Po te ishte Serbia demokraci, jo te ishte shtet me një parti, nuk do të ishte kërcënim për rajonin. Serbia ende vazhdon bashkimin me Putinin dhe Beogradi ka mbyllur sytë ndaj krimeve të luftës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut”.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se qëkur kjo qeverisje ka marrë mandatin, demokracia dhe ekonomia kanë pasur progres.
“Me qeverinë tonë, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj, kemi bërë progres në reformat ekonomike”.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka theksuar se në këtë rast, Kosova është vërtetuar të jetë partner dhe aleat i besueshëm për të gjitha shtetet demokratike duke u bashkërenduar me vendet evropiane në sanksione ndaj Rusisë.
“Bota demokratike duhet të flasë me një zë. Nuk është koha per neutralitet, por për solidaritet”.
Kurti ka thënë se nuk ka kundërthënie inherente midis demokracisë dhe suksesit ekonomik.
“Në kuptimin e besimit, investitorët janë më të prirë të investojnë nëse nuk kanë nevojë për të korruptuar zyrtarët për të hyrë në treg”.
Ai ka fajësuar qeveritë e kaluara duke thënë se ka pasur neglizhencë të veprimeve.
“Për shkak te neglizhencës së qeverive të kaluara, këto kriza po i godasin qytetarët me shumë se në vendet e tjera. Përballë këtyre sfidave të mëdha, jemi duke zbatuar një pako te ringjalljes. Bashkë më këto masa afatshkurtra, qeveria po bën hapa për adresimin e masave afatgjata”.
Po ashtu, shefi i ekzekutivit ka përmendur të arriturat e Qeverisë Kurti, duke thënë se përballë sfidave kjo qeveri ka pasur objektiva se si të menaxhojë krizën.
“Kemi bërë subvencionimin e faturave të energjisë elektrike, kemi bërë arsimin e lartë publik falas, kemi dhënë shtesa për pensionistët e studentët, kemi rritur buxhetin, kemi luftuar korrupsionin”.
Ai ka thënë se Kosova është shembull se si një vend i demokracisë funksionale e lufton një betejë të ashpër kundër kërcënimeve dhe krizave.