Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit që do të mbahet në Bruksel, ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në lidhje me propozimin evropian.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin Evropian” thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë letër ata i kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit evropian.
Tutje, thuhet se presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives evropiane të vendit.
Në letrën e përbashkët është kërkuar edhe zbatimi i obligimeve të marra nga palët në dialog, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne mirëpresim deklarimet e juaja të fundit publike, ku keni konfirmuar se jeni të gatshëm ta pranoni propozimin evropian për ‘marrëveshje bazë’. Ne besojmë se tash është nevojë urgjente për të krijuar rrugën para me synim për të konkluduar këtë marrëveshje dhe të siguroheni implementimin mbi bazat e tekstit që jeni pajtuar”, thuhet në letër.
Tutje thuhet se në konkludimet e veta më 9 shkurt, Këshilli Evropian ka shprehur përkrahjen për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta implementojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet e marra në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet nga vitet 2013 dhe 2015 për krijimin e një Asociacioni/Komuniteti të komunave me shumicë serbe.
“Hapat e implementimit që qëndrojnë para nesh duhet të pasqyrojnë këtë qasje politike, duke siguruar se si ‘Marrëveshja Bazë’ dhe po ashtu obligimet e mbetura nga dialogu të adresohen në mënyrë adekuate dhe pa vonesa. Ne shikojmë para që të dyja të fliten në takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel më 27 shkurt 2023. Ne llogarisim në lidershipin e juaj që në mënyrë konstruktive të përpiqeni për një zgjidhje të shpejtë dhe implementim të kësaj marrëveshje. Ne jemi të bindur se është e rëndësisë së madhe për përfitimet e përgjithshme për qytetarët e juaj, për një zhvillim paqësor dhe prosperues të rajonit dhe për avancim të perspektivës evropiane të shtetit tënd”, thuhet tutje.
Ndryshe, të hënën e 27 shkurtit, kryeministri Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku temë diskutimi i këtij takimi do të jetë propozimi i BE-së në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.