Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, kanë takuar deputetin shtetëror të Bosnjë dhe Hercegovinës, njëherësh një nga themeluesit e partisë politike SDA-së, Shemsedin Mehmetoviq, të premten e 17 shkurtit.
“Me z. Mehmetoviq u diskutua për zhvillimet në rajon, rreziqet prej të cilave kanoset Ballkani Perëndimor, sidomos pas agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë i cili tashmë po mbush një vit, dhe për rolin destruktiv të Beogradit zyrtar në rajon që buron nga mosdistancimi i tij nga Millosheviqi dhe Putini”, njofton Zyra e Kryeministrisë.
Në këtë takim kryeministri Kurti e ka njoftuar themeluesin e partisë politike SDA-së, Shemsedin Mehmetoviq se Kosova ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime, për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve dhe Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë, në tërë Ballkanin Perëndimor.
“Këto marrëveshje do të mundësojnë që qytetarët e Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë lirshëm në drejtim të njëra-tjetra pa pasur nevojë për viza, dhe vetëm me letërnjoftime”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kurti dhe Mehmetoviq kanë diskutuar për përfitimet që këto marrëveshje do të sjellin për qytetarët e dy vendeve dhe për ndikimin pozitiv në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës.