Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në kuadër të komunikimit të rregullt, kryeministri Kurti dhe Hykolli kanë diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë mes qeverisë dhe BSPK-së për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli. Në kuadër të komunikimit të rregullt, Kryeministri Kurti dhe z. Hykolli në këtë takim diskutuan për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe BSPK-së për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në gusht të këtij viti, BSPK-ja ka shpallur grevë në administratën publike dhe në arsim, duke kërkuar miratimin e Ligjit për paga si dhe shtesën prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit publik deri në miratimin e tij.
Ende pa u plotësuar kërkesat, BSPK-ja më 1 tetor ka pezulluar grevën e filluar më 25 gusht dhe sipas saj, greva do të jetë e pezulluar deri në janar të vitit 2023.