Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ish-ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi të premten e shtatë tetorit.
Në takim Kurti ka shprehur mirënjohje për punën, angazhimin dhe kontributin e ish-ministrit Latifi, po ashtu ka falënderuar Latifin që nuk ka kursyer kontaktet e shumta ndërkombëtare, për ta ndihmuar e avancuar sektorin dhe sistemin e shëndetësisë në Kosovë, thuhet në njoftim.
“Kryeministri i dëshiroi suksese në vijim, dhe shprehu vullnetin për mënyra të tjera për bashkëpunim në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Kryeminsitrisë.
Ndërsa Latifi ka shprehur gatishmërinë e tij dhe është zotuar për vazhdim të mbështetjes si profesionist, sidomos në projektet e filluara tanimë.
Më tej kryeministri Kurti ka emëruar zëvendësministren Dafina Gexha-Bunjaku për ushtruese të detyrës së ministres në Ministrinë e Shëndetësisë.
Takimi mes Kurtit dhe Latifit është paralajmëruar nga vetë kryeministri Kurti.
Të enjten, në media u raportua se Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë. Arsyet e kësaj dorëheqjeje nuk dihen, pasi Qeveria e Kosovës apo vetë Latifi nuk kanë folur ende zyrtarisht për këtë çështje.
Latifi ishte emëruar ministër më 16 nëntor të vitit 2021, duke e zëvendësuar atë kohë ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kurti e kishte emëruar Rifat Latifin ministër të Shëndetësisë pas dorëheqjes së Arben Vitisë, për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.