Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka pritur në takim këngëtarët nga Shqipëria, Irma Libohova, Kozma Dushi, Ermira Babaliu, Liljana Kondakçi dhe Luan Zhegu.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ata mbrëmjen e së martës, para një audience të madhe, kishin performuar në koncertin “Nostalgjia”, nën drejtimin e Maestro Lambert Jorganxhi, e të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.
Po ashtu, sipas njoftimit, këngëtari Zhegu është rikthyer në Kosovë pas plot 45 vitesh.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti i ka falënderuar këngëtarët e mirënjohur për punën e tyre në ngritjen e vlerave të artit dhe të kulturës shqiptare përmes këngës, si brenda, po ashtu edhe jashtë vendit.
Në takim, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe këshilltari në Ambasadën e Shqipërisë, Artur Bushati.