Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Duda Balje, kanë mirëpritur kryetarin e Komunës së Linzit në Austri, Klauk Luger, të hënën e 27 marsit.
“Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje kryetarit Luger dhe falënderoi për raportet shumë të mira me komunitetin e shqiptarëve në komunën që ai drejton”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit, me theks në fushën e ekonomisë, teknologjisë dhe edukimit, veçanërisht nëpërmjet mërgatës sonë në Austri.
“Kryeministri Kurti e njoftoi kryetarin Luger për rezultatet dhe arritjet e qeverisjes dyvjeçare, për indikatorët ekonomikë në eksport dhe investime të huaja, dhe për progresin në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, thuhet tutje në njoftim.
Kryetari i Komunës austriake, Luger po qëndron në Kosovë në një vizitë dyditore, dhe krahas takimeve me përfaqësues të institucioneve, po viziton edhe disa kompani të ndryshme private.