Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën e 10 janarit, duke filluar nga ora 10:00, do të mbajë një takim me kryetarët e komunave të Kosovës.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës.
Në njoftim thuhet se të pranishëm në këtë takim do të jenë edhe tre ministra të Qeverisë së Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në mes të Qeverisë dhe Komunave të Republikës së Kosovës, kemi nderin t’ju ftojmë në takimin e radhës të përbashkët me Sh.T.Z. kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, si dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, janë bërë të ditura edhe temat që do të diskutohen, të cilat kanë të bëjnë me buxhetin për këtë vit, investimet në sektorin e energjisë dhe përballjen me krizën energjetike.
Këtë takim midis kreut të qeverisë dhe kryetarëve të komunave e ka konfirmuar të hënën edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.