Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten e 25 majit, ka pritur në takim kampionët e këtij edicioni të superligës së basketbollit në Kosovë, Klubin e Basketbollit Peja.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, shefi i ekzekutivit vuri theksin te fakti se edicioni i sivjetmë i superligës ka rikthyer basketbollin në vëmendjen e secilit, duke potencuar kështu se rritja e shikueshmërisë dhe mbështetjes për sportin lokal, sinjalizon drejtimin e duhur të zhvillimit të sportit në nivel shtetëror.
Tutje bëhet e ditur se Kurti uroi drejtuesit dhe lojtarët e Klubit të Basketbollit Peja, për arritjen në këtë sezon dhe u dëshiroi edhe më shumë suksese në të ardhmen.
“Po ashtu theksoi se si Qeveri jemi të interesuar që ta forcojmë sa më shumë sportin, i cila ka shumë rëndësi për rininë dhe për shëndetin, por edhe për afirmimin e Shtetit”, thuhet në njoftim.
Në takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
Ndërkaq, përveç lojtarëve të KB Peja, të pranishëm ishin edhe drejtuesit e këtij klubi, presidenti Fatmir Gashi dhe zëvendëspresidenti Egzon Burri.
KB Peja, të cilët shënuan 30-vjetorin e themelimit, kanë rrugëtim të gjatë të sukseseve në basketbollin vendor.
Ishte edicioni 1992/1993 kur Peja fitoi titullin e parë të kampionit, ndërsa 2022/2023 e bën atë shtatë herë kampion të Kosovës.