Pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë, kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar si një arritje e mundësi domethënëse.
“Inaugurimi i Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike paraqet një angazhim e përkushtim dhe një arritje e mundësi domethënëse në këtë rrugëtim. Viti i kaluar ka qenë vit i progresit në zhvillimin e shumë iniciativave dhe politikave tona në fushën e sigurisë kibernetike”, ka thënë ai në fjalimin e tij.
Kryeministri, gjithashtu, ka përmendur sfidat e një bote të përfshirë në sulme kibernetike nga shtetet jodemokratike dhe rrjetet e sofistikuara të krimit kibernetik.
Ai ka shpjeguar se teknologjia vazhdon të përparojë, ndaj nevoja për trajnim dhe edukim të profesionistëve dhe të përdoruesve të teknologjisë është e domosdoshme për të mbrojtur efektivisht shoqërinë nga kërcënime të tilla.
“Epoka digjitale ka sjellë mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha për mbarë njerëzimin. Nga sulmet kibernetike të sponzoruara nga shtetet jodemokratike, deri te rrjetet e sofistikuara të krimit kibernetik, bota ballafaqohet me situata të cilat kanë ndikim në ekonomitë e shteteve që cenojnë procese demokratike dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe përderisa teknologjia vazhdon të përparojë, hendeku i aftësive në fushën e sigurisë kibernetik shkon duke u zgjeruar”, ka deklaruar ai.
Kryeministri Kurti ka theksuar disa hapa të mëparshëm të Qeverisë në fushën e sigurisë kibernetike, duke përmendur miratimin e Ligjit për Sigurinë Kibernetike dhe ndryshimet e kodit penal për të përfshirë krimet kibernetike në bazë të konventës së Budapestit.