Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përkushtim të shtuar për të finalizuar procesin e numërimit të votave, pasi sipas tij, qytetarët po presin që të përmbushet obligimi për formimin e institucioneve nga ta si fituesit e zgjedhjeve.
Në deklaratën hapëse të mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së vullnetit të votuesve dhe përmbylljes së një procesi zgjedhor të lirë, të rregullt dhe demokratik.
“Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimet për formimin e institucioneve në legjislaturën e ardhshme. Nga ju kabinet qeveritar pres që të vazhdoni punët e mira me të njëjtën ritëm. Ndërkaq krejt presim nga KQZ edhe më shumë angazhim për përfundimin e numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtje të vullnetit të votuesve, duke përmbyllur një proces të drejtë, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Kurti vlerësoi pjesëmarrjen masive të qytetarëve në këto zgjedhje, duke përfshirë edhe diasporën, e cila ka shënuar nivelin më të lartë të votimit ndonjëherë.
Ai u shpreh se gjatë mandatit të tij, qeveria ka qenë e angazhuar në përmirësimin e shërbimeve për bashkatdhetarët, përfshirë digjitalizimin dhe lehtësimin e procedurave, si njohja e patentë shoferëve nga shtetet ku ata jetojnë.
KQZ-ja ka përfunduar procesin e numërimit të votave në vend. Sot do të nisë numërimi i votave nga diaspora.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.9 për qind, pasur nga Partia Demokratike me 22.03 për qind, Lidhja Demokratike me 17.64 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma me 7.46 për qind.