Kurti: Reformimi i gjyqësorit nën ndikimin e akterëve aktual – i pamundur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të fillojë menjëherë jetësimin e procesit të vettingut dhe për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të nisë menjëherë jetësimin e procesit të vettingut dhe për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar.

Në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i pari i qeverisë ka thënë se vettingu është i domosodoshëm ashtu siç është konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme.

“Sot fillojmë me jetësimin e punës njëvjeçare të MD-së në realizimin e këtyre proceseve jetike me përkrahjen e Komisionit të Venecias. Gjithçka që kërkohet nga Qeveria, do t’i dërgohen Kuvendit në afat rekord, pasi reforma më nuk mund të presë”.

“Pas miratimit të strategjisë për sundimin e ligjit, reformimin e sistemit prokurorial dhe planifikimit të krijimit sa më shpejt të gjykatës komerciale, hapim rrugë për vettingun e shumëpritur të kompletuar me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, tha Kurti.

Sipas të parit të ekzekutivit, me mekanizmat aktualë, reformimi i gjyqësorit nuk është i mundur.

“Jemi dëshmitarë të njollosjes së shpeshtë të gjyqësorit nga vetë gjyqtarë e prokurorë me veprime e sjellje të pamatura të korruptuara apo të ngjyrosura politikisht. Gjyqësor i atillë kërcënon lirinë e sfidon shtetësinë, gjyqësor të atillë nuk duam. Reformimi i gjyqësorit përbrenda nën ndikimin e mekanizmave dhe akterëve momentalë nuk është i mundur. Këtë e kemi të konfirmuar edhe nga opinionet e pranuara të Komisionit të Venecias. Derisa nuk ka dyshim që mekanzimat e ndërtuar kanë potencialë të sigurojnë pavarësi, të njëjtën, nuk mund ta bëjmë nën drejtimin e gjyqtarëve dhe prokruroëve të mveshur me dyshimin për mungesë etike, profesionalizmi e efikasiteti”, theksoi Kurti.

Kurti: Në Bruksel s’ka të tillë që s’e pranojnë se, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nënkupton njohjen reciproke

Kurti ka komentuar deklaratën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila në Forumin e Prespës, ku Kurti mungoi, kishte thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar si kërkesë zyrtare nga BE-ja njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se zyrtarët e lartë të Serbisë rregullisht i mohojnë krimet e kryera në Kosovë, dhe beson që qëndrimet e tyre politike vijnë nga ky mohim “ i patolerueshëm”.

“Është e qartë se tashmë dialogu me Serbinë nuk është i shtrirë në një proces që stërzgjatet, në fund të së cilit premtohet njohja e pavarësisë së Kosovës, pas koncesioneve dhe kompromiseve të shumta nga ana e Kosovës, siç kanë ndodhur në dekadën e shkuar. Por dialogu është i shtruar në funksion të një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë që në qendër e ka njohjen reciproke”, u shpreh ai.

Sipas tij, në BE ka zyrtarë që këtë e thonë më zëshëm sesa disa të tjerë dhe se ka shtete që janë më aktive sesa disa të tjera, por sipas Kurtit “nuk ka në Bruksel të tillë që nuk e kuptojnë dhe nuk e pranojnë që normalizimi i plotë midis Kosovës dhe Serbisë pa dyshim që e nënkupton njohjen reciproke”.

Kurti: OVL-UÇK-së, propozimet me shkrim do t’i dërgohen javën e ardhshme

Kryeministri Kurti ka thënë se OVL-UÇK-së, propozimet me shkrim do t’i dërgohen sa më shpejt që është e mundur, gjatë javës së ardhshme.

Ai ka theksuar se bashkë me ministrin e Financave po punojnë për një propozim konkret, ofertë përmbajtësore me shkrim të qartë për organizatat e dala nga lufta.

“Jam i hapur për dialog, komunikim e kontakte të rregullta, zyren time e kanë të hapur për të gjitha takimet dhe dilemat që mund t’i kenë, por në të njëjtën kohë e shpreh edhe përkushtimin tim se qeveria e Kosovës është e interesuar që UÇK të trajtohet me dinjitet”, shtoi Kurti.

Kurti: Demokracinë e duam me veteranët dhe të vërtetën

“Nuk duam demokraci e pavarësi pa veteranët, e duam me ta, por edhe me të vërtetën. Të vërtetën e kemi aq të mirë e të bukur saqë nuk ka nevojë fare ta zbukurojmë”.

Kështu është shprehur i pari i qeverisë gjatë konferencës të së shtunës, teksa ka shtuar se synimi i qeverisë është “që të kemi edhe mirëqenie për veteranët e të kemi edhe të vërtetën e luftës tonë çlirimtare të UÇK-së të shkruar siç duhet jo vetëm për brezin tonë, por edhe për ata që do të vijnë pas nesh”.

Ai beson se beneficioni për veteranët do të jetë më i lartë se paga minimale.

“Nuk do të thotë se ata nuk meritojnë beneficione, por kjo nënkupton që beneficionet nuk bën që të lidhet me pagën minimale. Unë besoj që beneficioni për veteranët do të jetë më e lartë se paga minimale, por për këtë kam kërkuar një rregullim të listave”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, ai qëndron i mendimit se nuk është e nevojshme që të shtohet numri i veteranëve të luftës në lista, sepse kjo sipas tij, i bën dëm historisë.

“Nuk kemi nevojë ta shtojmë numrin e veteranëve që të ndihemi më krenarë, me gati 3 mijë dëshmorë, mbi 10 mijë civilë të vrarë, mbi 20 mijë gra e burra të përdhunuar dhe me luftëtarët që i kemi të gjallë shumë prej tyre invalidë, jemi mjaftueshëm krenarë me shtetndërtimin tonë demokratik, me pavarësinë dhe sovranitetin tonë. Nuk kemi nevojë t’i fryjmë listat, përkundrazi fryrja e listave i bën dëm brezave të ardhshëm, studiuesve të historisë”, përfundoi ai.

Shija e redaktorit

Nesër, shtëpia botuese “Dukagjini” promovon librin “Shumica e poezive” nga...

Libri “Shumica e poezive” nga autori Tom Lanoye do të promovohet nesër, më 28 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini”...

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Të fundit nga rubrika