Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën e 22 janarit, ka vizituar komunat e prekura nga vërshimet si Skenderaj e Mitrovicë.
Ai ka thënë se Qeveria po bashkëpunon me komunat për t’i mbështetur qytetarët për ta tejkaluar situatën.
“Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate”, ka shkruar Kurti.
Ai ka falënderuar për angazhim të gjithë, derisa u shpreh se e mira e kësaj, është fakti që nuk ka jetë të humbura nga vërshimet.
“Në Skenderaj dhe Mitrovicë isha sot bashkë me ministrat Mehaj e Krasniqi, dhe zëvendësministrat Gashani e Dobra. Duke ju falënderuar angazhimit dhe solidaritetit të të gjithëve me njëri-tjetrin, nuk kemi jetë të humbura nga vërshimet”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, Kurti ka renditur dëmet materiale, të cilat i ka parë në komunat e lartpërmendura. Sipas Kurtit, në Skenderaj janë rreth nëntë ura të vogla të dëmtuara.
“Ka dëme të konsiderueshme materiale: janë dëmtuar ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese. Në Skenderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer, të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula”, ka vijuar ai.
Ndërsa, theks të veçantë i ka dhënë faktit që lumi Ibër e Sitnicë janë bashkuar dhe shnëdruar në liqe, në të cilët, ka edhe kafshë të ngordhura, që sipas tij, paraqesin rrezik për epidemi.
“Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja, ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi”, ka theksuar Kurti.
“Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura”, ka shtuar ai.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike, u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara.