Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e certifikimit të 100 të rinjve nga të gjitha komunitetet për punë praktike në institucione, ka thënë se rinia është fokus i politikave qeveritare.
Ai ka theksuar se Qeveria është e përkushtuar për të shtuar mundësitë për aftësim e punësim, me politika të ndryshme, siç është ajo e lansuar gjatë verës “një i punësuar në çdo familje”.
“Rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave tona qeveritare e në angazhimet tona publike, sepse zhvillimi ynë i ardhshëm varet shumë prej asaj se si e ndihmojmë dhe e trajtojmë rininë tonë, duke mos harruar që mosha mesatare në Republikën e Kosovës është vetëm 31 vjeç”, ka thënë Kurti.
Siç njofton zyra e kryeministrit, kreu i ekzekutivit ka potencuar se me Pakon e Ringjalljes Ekonomike po vazhdon të mbështesë projektet e organizatave rinore.
Për shtimin e vendeve të punës dhe zbutjen e pabarazisë mes të rinjve, nga ky vit shkollor Kurti ka deklaruar se është nisur ofrimi i arsimit dual në katër profile.
“Kështu synohet lidhja e urëzimi i hendekut të shkathtësive dhe zëvendësimi i emigrimit me punësim”, vijon njoftimi.
“Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1000 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit”, ka thënë Kurti.
Për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor në profesione, në vitin akademik 2021/2022, sipas tij janë ndarë një mijë e 365 bursa universitare për studentet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM.
Në këtë ceremoni është theksuar se Qeveria dhe institucionet janë të fokusuara për të zhvilluar plane e programe më të mira, për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të rinjtë e të rejat, për të tashmen por edhe për të ardhmen e tyre dhe të vendit.
Ndryshe, 100 të rinjtë kanë punuar për gjashtë muaj në institucione.
Projekti u zbatua nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe u mbështet me 90 mijë euro nga Ambasada e Norvegjisë.