Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e parë të qëndrimit të tij në Michigan, me ftesë të Organizatës së Studentëve Shqiptarë, ka zhvilluar një diskutim të hapur me studentë të Universitetit të Michigan-it.
Sipas njoftimi të zyrës së kryeministrit, thuhet se gjatë këtij diskutimi, Kurti ka përmendur sukseset dhe planet e tij për këtë mandat, ku si prioritet të qeverisë, ai ka ritheksuar hapjen e vendeve të reja të punës dhe rëndësinë që investimet e huaja kanë në këtë drejtim.
“Përveç prioritizimit të hapjes së vendeve të reja të punës, kryeministri Kurti foli edhe për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, dhe për përmirësimet që Kosova ka shënuar gjatë këtij viti në indikatorët ekonomikë dhe të demokracisë”, thuhet në njoftim.
Sa i përket rrafshit të politikës së jashtme, i pari i ekzekutivit ka potencuar reagimin e menjëhershëm në solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj pas agresionit të paprovokuar dhe pajustifikuar të Federatës Ruse dhe rreshtimit me botën demokratike duke vendosur sanksionet ndaj Rusisë.
“Me studentët, kryeministri Kurti po ashtu foli për rëndësinë e transferimit të dijes, angazhimin potencial të tyre në kuadër të institucioneve tona dhe ndërlidhjen me komunitetin Shqiptaro-Amerikan”, vijon njoftimi.
Gjatë këtij diskutimi, kryeministri Kurti iu përgjigj edhe pyetjeve të studentëve të pranishëm.
Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, kë deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të takohet edhe me zyrtarë politikë, senatorë e kongresmenë.
I ftuar në emisionin “Five” të Rtv Dukagjinit, Kryeziu ka thënë se këto takime janë paraparë që prej fillimi, dhe do të bëhen të ditura ditëve në vijim.
“Edhe gjatë javës së tjetër kryeministri Kurti do të qëndrojë në SHBA . Ai do të takojë përfaqësuesë e investitor të ndryshëm potencial, përfaqësues të mërgatës si dhe përfaqësues politikë. Do të kthehet në Washtington, për takime me zyrtarë të senatit e kongresmenë dhe zyrtarë të tjerë”, ka deklaruar Kryeziu.