Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të marrë pjesë në drekën joformale të thirrur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me komisionerin Evropian, Oliver Varhelyi, në Tiranë, e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se arsye për mospjesëmarrje është se muaj më parë Kurti e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.
“Para një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për një drekë joformale me komisionerin Evropian, Oliver Varhelyi, në Tiranë, e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, tha ai.
Kryeziu bëri të ditur se Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor të këtij viti.