Në ditën e Krishtlindjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar fshatin Janjevë, të Komunës së Lipjanit.
Në njoftimin e qeverisë, thuhet se fillimisht kryeministri takoi famullitarin e kishës së “Shën Kollit” në Janjevë, Don Matej Paliq, si dhe ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.
“Biseduan për historikun e komunitetit kroat në një fshat të bukur si Janjeva, fshat ky i vizituar dhe nga Nëna Terezë në vitin 1981, e i cili njihet edhe për bashkëjetesën e shkëlqyer mes komuniteteve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua dhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit, për të kontribuuar në zhvillimin e Janjevës, dhe në rritjen e mirëqenies së komunitetit kroat dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Janjevë.
Pas takimit, kryeministri Kurti mori pjesë dhe në meshën e mbajtur në kishën e “Shën Kollit” në Janjevë, ku takoi qytetarët e komunitetit kroat dhe shqiptar, dhe u uroi festën e Krishtlindjes.
Po ashtu, Kurti me ftesë nga Ipeshkvia e Kosovës, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar për Krishtlindje.
Kreu i ekzekutivit i uroi ipeshkvit Dodë Gjergji dhe besimtarëve katolikë Krishtlindje të gëzuar.