Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se më 18 gusht, ka pasur një zhvillim tjetër që nuk përmendet tani, e për të cilin kishte dakordim.
Kështu është shprehur ai gjatë konferencës për media, teksa ka njoftuar më detajisht për takimet në Bruksel.
“Jemi dakorduar për tekstin për marrëveshjen për të pagjeturit, për të zhdukurit me dhunë, jemi dakorduar, dy faqe është teksti, mungojnë vetëm nënshkrimet, i imi jo, Serbia refuzoi. Në Bruksel nuk përmendet që ka marrëveshje të dakorduar. Dhe asnjë dënim, asnjë gjykim, asnjë kritikë ndaj Beogradit”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Komisioni Evropian e vlerëson performancën e përfaqësuesit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Kështu ka deklaruari ai kur është pyetur se as është kredibil Borrell që të vazhdojë t’i udhëheqë bisedimet në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Unë flas për vete, presidente është zgjedhur Ursula Von Der Leyen, ata e vlerësojnë performancën e Borrell-it, unë në takime me të ia kaloj mirë, mund të mospajtohemi, takimet janë konstruktive”.
Ai ka theksuar se ky takim nuk ishte i pari ku kishte mospajtime, dhe për të nuk është diçka e re.
“Nuk është ky takimi i parë që nuk kemi mospajtime, nuk është diçka e re që ai s’po pajtohet me mua, por me BE-në”, shtoi Kurti.
Ndërkohë, kreu i qeverisë ka folur edhe për tetë opsionet që u janë ofruar në negociatat në Bruksel të dy palëve, për të cilat tri kanë qenë më të përshtatshme për Kosovën dhe pesë nga to jo.
Të njëjtat, Serbia i ka refuzuar.
“Kur thashë 8 opsione, besova se fola vetëm midis nesh me anëtarët e Kabinetit qeveritar. Nuk mund të them diçka më shumë për ju sesa për anëtarët e kabinetit qeveritar. Kanë qenë 8 opsione. Gjashtë muaj është negociuar mes ekipeve tona ku kanë shkuar ekspertët dhe njohësit e çështjeve teknike dhe kanë ardhur në përfundim se 8 modele janë të mundshme dhe është kërkuar nga palët që ta përzgjedhin modelin e preferuar. Palët nuk e zgjedhin të njëjtin model duhet të vazhdojnë negociatat, nëse Kosova do të zgjidhte njërin prej modeleve dhe Serbia një tjetër model do të duhej të vazhdonin negociatat”, tha Kurti.
Ai ka potencuar se ndonjëherë është BE-ja ajo që mund t’i bëjë publike këto gjëra, dhe nëse të njëjtat do të publikoheshin nga Kosova, atëherë do të fajësohej për dëmtim të procesit.
“Ne kemi qenë të gatshëm. Për ne ishte i rëndësishëm parimi i reciprocitetit në dakordim, por Serbia ka thënë asnjëri nga 8 opsionet nuk janë të pranueshme, andaj ne në fund të qershorit jemi detyruar ta marrim vendimin. Pasi e morëm vendimin, më 31 korrik e shtymë për një muaj dhe u dakorduam që është shtyrja e fundit, tash dhamë edhe 48 orë meqë brengat e faktorëve ndërkombëtarë për mundësitë e cenimit të paqes dhe sigurisë në mëngjesin e ditës së djeshme 48 orë janë të mjaftueshme për shtensionim”.
“Kemi qenë të gatshëm që fazën e dytë që janë gjobat ta suspendojmë dhe Serbia të mos lëshojë targa ilegale dhe në këtë mënyrë ta krijojmë hapësirën për negocim intensiv për një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme deri në marsin e vitit 2023”.
Arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel, kryeministri thotë se ishte që të fillohet të diskutohet propozimi për marrëveshjen finale.
“Ata hoqën dorë nga propozimi i BE-së. Kur unë i thashë Borrellit më 11 nëntor në mëngjes në Paris në Forumin e paqes propozimi franko-gjerman, tha ky është propozimi i BE-së. Në Bruksel e pashë që po të ishte propozimi i BE-së nuk do të hiqte aq kollaj dorë. Tash ndodhemi ku ndodhemi, sepse pika e parë, korniza e përgjithshme e marrëveshjes bashkë me propozimin e BE-së, dhe u kalua vetëm te çështjet aktuale. Kam pritur në shtator nuk na ftuan, në tetor nuk na ftuan. Nëse Parisi, Berlini dhe Brukseli me mbështetje të Washingtonit, nuk mundet dy muaj asnjë takim”.