Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se po vazhdon përpjekjet për të sabotuar konsolidimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka ofruar burime dhe mjete shtetërore për Listën Serbe dhe për kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Kurti ka shtuar se Serbia po synon destabilizimin e institucioneve të Kosovës dhe ka shënjestruar disa deputetë të pakicave joserbe.
Ai ka theksuar se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë informacione të konfirmuara lidhur me këtë situatë dhe se kjo ka qenë një prej çështjeve të diskutuara në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
“Pas ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Republikën e Kosovës, për çfarë kemi informuar në konferencë për media bashkë me ministrin Nenad Rashiq me datë 9 mars 2025, Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës, më 24 shtator 2023, ishte nënkryetar “de jure” i Listës Serbe, kurse tani është kryetar “de facto” i këtij subjekti politik”, ka shkruar ai.
“Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe. Institucionet e sigurisë kanë informacion të konfirmuar lidhur me këtë, dhe kjo ishte njëra ndër çështjet që shqyrtuam në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar tutje Kurti në Facebook.