Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar sërish i vendosur për mosshtyrjen e vendimit për çështjen e targave të paligjshme.
I pari i ekzekutivit u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat nga ato ilegale në targat RKS.
“Sot kemi takim me Ursula von der Leyenin, dhe kemi aktivitetet tona ditore. Unë i ftoj të gjithë qytetarët serbë që i kanë targat e stërvjetëruara t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës”, është shprehur Kurti pas vendosjes së gurthemelit të çerdhes në afërsi të Shkollës së Gjelbër në Prishtinë.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk ka ndërruar mendje sa i përket zbatimit të marrëveshjes për targat e automjeteve dhe kthimin e atyre ilegale në RKS.
Kurti, pas Samitit të Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, deklaroi se vendimi është shtyrë një herë.
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit. Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë më datën 1 tetor është data 1 nëntor ose më mirë të them që në vend se të jetë më 30 shtator data e fundit është 31 tetori”, ka thënë Kurti.
Kurti, theksoi se masa për kthimin e targave ilegale në ato legale, nuk është masë kundër serbëve por kjo sipas tij po bëhet vetëm për ta respektuar ligjin.