Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris gjatë fjalës së tij ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve.
Shefi i ekzekutivit tha se shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide, teksa shtoi se njerëzit që sipas tij, kanë parë ëndrra për shumë për ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo ndryshimin e kufijve, e kanë të vështirë ta braktisin atë nostalgji e të angazhohen në zgjidhje që do të ishin demokratike.
“Projekti i këmbimit të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si për familjen e tyre që flasin për territoret e shteteve të tyre sikur të ishin prova private. Por, kjo ka pasur një lloj shije feudale që nuk ekziston më, por më duhet të pranojë që përkundër dështimit të projektit, ideja ekziston ende por pa ndonjë gjasë të madhe që të hyjë në fuqi”, ka thënë Kurti.
Kurti foli edhe për njohjen e Kosovës nga Serbia, nga e cila tha se duhet të ketë edhe njohje de-facto edhe de jure.
“Pra, sa më shpejt që të normalizojmë marrëdhëniet me njohje de-facto e de-jure, po them de jure dhe de facto sepse Serbia e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën de jure por jo de facto, sepse ka raporte të veçanta me Republikën Srpska që e shfrytëzon pushtetin e vet për të minuar shtetndërtimin demokratik. Ndërsa në anën tonë, Serbia na njeh de facto në shumë aspekte, por jo de jure. Na duhet de jure dhe de facto, dhe njëkohësisht një lloj simetrie në të drejtën e pakicave. E di që të drejtat e pakicave nuk mund të jenë identike, por edhe ky disbalanci tejet i madh midis vendeve të rajonit shkakton tensione e që mund të jenë atraktive për disa qendra për destabilizim”, ka vijuar ai.
Ai gjithashtu tha se shtetet fqinje nuk mund të ndihet të sigurta nga Serbia, derisa nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
I pyetur se cilat janë qëllimet e Serbisë karshi Kosovës, Kurti theksoi se “ndarja e saj, apo kompensimet territoriale.”
“Fqinjët e Serbisë, për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të inatosur me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, nuk doli ashtu”, u shpreh Kurti.