Mëngjesi i sotëm na e solli lajmin e trishtë për humbjen e Alban Bujarit, fotoreporterit që e dokumentoi historinë e Kosovës për më shumë se tre dekada. Me syrin e tij, ai ka regjistruar luftën, paqen dhe proceset e shtetndërtimit të Kosovës, duke e bërë një figurë të shquar në gazetarinë kosovare dhe atë ndërkombëtare.
Kështu ka shkruar në një mesazh ngushëllimi kryeministri Albin Kurti, ku shprehu hidhërimin dhe respektin e tij për Albanin, duke theksuar se ai ka lënë një trashëgimi të pazëvendësueshme me punën e tij.
“Në gati 30 vitet që me fotografi dokumentoi historinë e Kosovës, Albani, me modestinë njerëzore dhe punën profesionale, e vendosi veten në majen e gazetarisë së Kosovës, dhe jo vetëm. Albanin do ta mbajmë mend përherë e do ta kujtojmë për rolin e tij si fotoreporter veçanërisht në dokumentimin e masakrave të luftës së fundit në Kosovë, ku pamjet shërbejnë si dëshmi që ndërgjegjësuan më tej edhe opinionin e mediat ndërkombëtare. Me kurajën e njëjtë e kureshtjen e pashtershme përcolli zhvillimet shoqërore e politike edhe pas luftës. Syri i tij na ka përcjellë për afër tri dekada, e unë fytyrën e tij e kam parë në pothuajse çdo aksion politik si opozitar e aktivitet publik tash si kryeministër. Jemi takuar shpesh, por jo aq sa duhej për kohën e gjatë që njiheshim. Do të na mungojë gjithmonë; mungesa e tij do të vërehet përherë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Por, ai do të jetojë përmes veprave të tij, e nga to do ta mbajë të gjallë edhe kujtimin për viktimat e luftës së fundit, masakrat e shtypjen sistematike të viteve të ’90-ta.
Fotografitë e Albanit janë e do të jenë gjithmonë kujtesa jonë për dhimbjet e popullit tonë dhe përkujtimi i çmimit për lirinë që e gëzojmë sot. Me punën e tij, ai la trashëgimi vetëdije historike e kombëtare.
Ngushëllime familjes, kolegëve në Grupin Koha dhe gjithë komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve të Kosovës, si dhe të gjithëve që e njohën Albanin, qoftë personalisht qoftë përmes fotografive të tij. Albani fotografoi që kurrë mos të harrojmë, e prej sot fotografitë e tij do të kujdesen që ne kurrë mos ta harrojmë Albanin”, ka shtuar Kurti.