Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve i ka dedikuar një shkrim qeverijes së tij dyvjecare, sa i përket vendimeve që kanë ndikuar në shtimin e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së punëtorëve.
Kurti ka përmenduar vendimet që i ka marrë Qeveria për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
“Si qeverisje e re kemi ndërmarrë një sërë hapash, vendimesh e iniciativash ligjore që prekin direkt jetën e punëtorëve. Kemi hartuar dhe dërguar në Kuvend Projektligjin për Pagën Minimale, ligj që presim që Kuvendi ta miratojë sa më parë”, ka shkruar Kurti.
Ai, gjithashtu, ka thënë se platoforma “Superpuna” ka ndikuar në rritjen punësimeve, duke theksuar se për shkak të zbatimit sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxhet për ta shtuar numrin e inspektorëve.
“Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës, është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm. Gjatë këtyre dy viteve qeverisjeje, kemi ndërmarrë masa që nxisin punësimin me theks të veçantë punësimin e grave dhe të rinjve. Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi). Po ashtu, kemi rritur pagat në sektorin publik dhe përmes pakove të ndërmarra nga Qeveria kemi mbështetur rritjen e pagave për 17 mijë punëtorë të sektorit privat”, ka shtuar ai.
Sipas Kurtit, gjatë qeverisjes së tij janë ndërmarrë masa që kanë ndikuar në punësimin e grave dhe të rinjve.
“Punësimi ka qenë njëri prej prioriteve tona kryesore dhe së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë. Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve.
Kosova ka vuajtur edhe nga papunësia edhe nga shkelja e të drejtave në punë. Jemi duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e kemi gjetur punëtorin, por do të vazhdojmë të jemi të pakompromis në rregullimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të tij të garantuar me Kushtetutë.
Urime 1 Maji i punëtorëve!”, ka përfundaur Kurti.