Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e 17 nëntorit në Kuvendin e Kosovës ka thënë se viti i kaluar ishte më i suksesshmi në historinë e Kosovës sa u përket të hyrave dhe rritjeve ekonomike, kështu sipas tij duke mundësuar që Kosova të ketë konsolidim të financave publike.
Ai ka bërë të ditur se buxheti i vitit 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, gjersa ka shtuar, “Përveç se më i larti ndonjëherë, dyfish më i lartë se buxheti që e patëm trashëguar në vitin 2021”.
“Të hyrat buxhetore do të arrijnë deri në 2 miliardë e 884 milionë euro, kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë paga dhe mëditje, 493 milionë euro mallra dhe shërbime, 1 miliard e 98 milionë euro subvencione e transfere, 811 milionë euro shpenzime kapitale”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë të ditur se janë shtuar 240 pozita të reja në inspektorat të punës.
“Më shumë inspektorë në punë e shëndetësi që të përmirësohet cilësia e shëndetësisë, e tregut, mbledhja e tatimeve”, ka vijuar ai.
Po ashtu, kreu i Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se janë ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë.
“Do të përmirësojmë infrastrukturën shëndetësore, do të shtojmë numrin e stafit shëndetësor, ndarjen e buxhetit për barna esenciale, gjithashtu me këtë projektbuxhet do të mundësojmë angazhimin e asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara”.
Ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes ai ka thënë se buxheti i përgjithshëm do të jetë 123 milionë euro.
“Mbështetja në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, 300 pozita të reja për policinë , 123 milionë euro buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes”.