Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë asnjë ultimatum nga i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian(BE) për dialogun Kosovës-Serbi, Miroslav Lajçak, në lidhje me situatën në veri të Kosovës.
Por, kryeministri Kurti ka thënë se emisarëve ai u ka ofruar një mënyrë të sigurt për të dalë nga kriza në veri, e cila sipas tij është shkaktuar nga strukturat ilegale të Serbisë.
“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi. Ne u takuam, bashkëbiseduam në zyrën time me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale paralele të Serbisë atje”, ka thënë Kurti.
“E para, është sundimi i ligjit. Kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-së, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm e të grupeve kriminele”, ka theksuar Kurti.
I pari i ekzekutivit ka thënë gjithashtu se nga 33 emrat e kriminelëve që i ka përmendur në Kuvendin e Kosovës, vetëm 5 nga ta janë në burg, ndërsa 28 të tjerë nuk janë.