Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 7 nëntorit, duke filluar në ora 15:00, pritet të mbajë konferencë për media.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mban konferencë për media në ndërtesën e Qeverisë, koha 15:00”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Po ashtu, këtë e ka bërë të ditur edhe vetë Kurti, pas përfundimit të Samitit të parë Rajonal për Mbrojtje nga Diskriminimi Racor, raporton Ekonomia Online.
Kreu i ekzekutivit nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për situatën e fundit në veri, duke thënë “Sot do të mbaj konferencë për medie”.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, në fjalimin e tij në këtë samit, ka thënë “Të qenët barabartë nuk do të thotë të qenët identikë, pikërisht pse jemi të ndryshëm duhet të jemi të barabartë”, gjersa ka shtuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin për ofrimin e kushteve të barabarta për të gjithë.
Kurti: Vetëm duke qenë të ndryshëm, mund të jemi të barabartë
Ndërkaq, të hënën, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Lista serbe kanë dorëzuar dorëheqje.
“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhet në njoftim.
Ndryshe më herët, Lista Serbe i ka dorëzuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Portali Dukagjini, Ilir Kërçeli shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
Po ashtu, pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre të dielën, të hënën e 7 nëntorit, kanë filluar t’i dorëzojnë armët në nënstacionin policor të Zveçanit.
Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës, për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës: 10 deputetë të Listës Serbe dorëzuan dorëheqje të parevokueshme