Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të jetë në stadiumin e Hamburgut për ta përcjellë nga afër ndeshjen e “Euro 2024” mes Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila luhet nga ora 15:00.
Kështu u bë e ditur nga Zyra e Kryeministrit.
Sipas njoftimit të ZKM-së, Kurti po qëndron në Hamburg me ftesë të të dërguarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin do ta vizitojë edhe portin e Hamburgut “për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në port”.
“Vizitën në portin e Hamburgut për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në port, kryeministri do ta bëjë së bashku me përfaqësuesin Special të Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për të vazhduar më pas edhe në stadiumin e Hamburgut në mbështetje të kombëtares shqiptare sot në përballje me Kroacinë, në kuadër të EURO 2024”, thuhet në njoftim.
Kurti në Hamburg është pritur edhe nga bashkatdhetarët.
Në një bashkëbisedim, ai i njoftoi bashkatdhetarët për zhvillimet në Kosovë dhe për qeverisjen.
“Në një bashkëbisedim, ai i njoftoi bashkatdhetarët për zhvillimet në Kosovë dhe për qeverisjen. Ndër të tjerash, ai veçoi procesin e regjistrimit të popullsisë, që për herë të parë është bërë në formë online përmes e-diaspora, vendimet e qeverisë në javën e kaluar, për të ndarë tre milionë euro për mbulimin e policës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës dhe tre milionë tjera për garantimin e kredive të bizneseve që hapen nga bashkatdhetarët tanë me qëllimin që bashkatdhetarët që kanë biznese në diasporë të kthehen dhe të investojnë në vend dhe miratimin e Ligjit për Zgjedhjet, i cili mërgatës iu mundëson votimin fizikisht në ambasada dhe konsullata ose votimin në postë të brendshme”, thuhet tutje në njoftim.
Kurti po shoqërohet nga ministri për Kthim edhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
Kurti u shpreh falënderues për rolin dhe kontributin e mërgatës.