Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lidhur sulmin ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit me një tendencë të ngjashme të sulmeve të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Në një konferencë për media, Kurti theksoi se ky akt mund të jetë pjesë e një modeli të organizuar, duke theksuar se një ditë para sulmit në Kosovë, forcat ruse sulmuan infrastrukturën kritike energjetike të Ukrainës me 188 raketa dhe dronë, duke lënë vendin pa energji elektrike në prag të dimrit.
“Në kontekstin kohor ashtu edhe vet natyrës së aktit, ky sulm duket që ka ndërlidhje me sulmet masive ajrore të federatës ruse kundër Ukrainës me që rast sulme këto që ishin të orientuara kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë. Një ditë para sulmit më datë 28 nëntor forcat ushtarake ruse me 188 raketa dhe dronë sulmuan infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë duke i lënë pa energji elektrike në prag të dimrit”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri theksoi gjithashtu se sulmi në veri dhe sulmet në Ukrainë ndajnë ngjashmëri, duke përfshirë sulmin ndaj stacionit policor në Zveçan dhe ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Ai ka deklaruar se gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia e Kosovës, u gjetën emblema të njësive ushtarake ruse, përfshirë flamuj të përdorur nga Rusia në shekujt 18-19, si dhe pajisje ushtarake të shumta.
“Në të njëjtën kohë kemi sulmin në ndërtesën e Komunës në Zveçan dhe sulmet në Ukrainë, ne Zveçan dy ditë para kësaj kishim sulmin kundër stacionit policor dhe tash infrastruktura krikë në veri sikurse në Ukrainë. Për të bërë më të dukshme këtë ndërlidhje është edhe akti që gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia e Kosovës në lokacione të ndryshme përveç armëve dhe pajisjeve të shumta ushtarake u gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse, këto emblema u përkasin kryesisht njësive të specializuara për kryerjen e operacioneve të veçanta ushtarake, përveç këtyre u gjetën edhe flamuj krahu perandorak rus, flamur ky i përdorur nga Rusia e shekujve 18 – 19”, ka deklaruar ai.
Kurti theksoi se Serbia po përpiqet të kopjojë metodat ruse për të sulmuar Kosovën dhe rajonin, por këto përpjekje dështuan, duke theksuar forcën e Kosovës që mbështetet në vlerat demokratike perëndimore dhe partneritetet ndërkombëtare.
Gjithashtu, Kurti ka deklaruar se “problemi kryesor për bindjen time është fakti që Millan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës”.
Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjnë trysni Serbisë ta dorëzojë tek autoritetet e Kosovës kryekriminelin Radoiçiq.