Krahas takimit të djeshëm në Prishtinë, sot në Ohër, në prag të takimit të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi zëvendësndihmëssekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në këtë takim kryeministri Kurti dhe emisari amerikan Escobar kanë diskutuar për takimin e sotëm, rëndësinë dhe pritjet nga ky takim.
Kryeministri Kurti e falënderoi emisarin Escobar për mbështetjen vazhdueshme të tij dhe të ShBA-së në procesin e dialogut, duke theksuar këtu përkushtimin dhe qasjen konstruktive të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë fundjavë dhe përgjatë gjithë procesit.