Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar këtë mëngjes në Shën Stefan të Malit të Zi, ku po mbahet Samiti i Berlinit, me kancelarin federal austriak, Christian Stocker, me të cilin ka diskutuar për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në mandatin e ri dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Kurti, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik në fushën e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale, ku, sipas tij, kompanitë austriake dhe mërgata kosovare po investojnë gjithnjë e më shumë.
Ai ka kujtuar se në takimin e para katër muajve kishin diskutuar për integrimin e Kosovës në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA) dhe për përfshirjen në zonën e roamingut të Bashkimit Evropian.
Sipas Kurtit, Kosova tashmë e ka përmbushur edhe kushtin e fundit për SEPA-n, përmes miratimit të tërësisë së ligjeve të nevojshme, ndërsa për roamingun pret që negociatat të nisin së shpejti.
Kryeministri ka theksuar se e mbështet qëndrimin e kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë vendet kandidate duhet të trajtohen njësoj, me kushte të barabarta.
Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme të avancojë në rrugën drejt integrimit evropian, duke synuar marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Kurti ka bërë edhe një koment për futbollin, duke iu referuar rezultateve të ndeshjeve mes Kosovës dhe Austrisë: “Pas 3:1 në Vjenë dhe 1:1 në Prishtinë, po afrohemi edhe në futboll”.