Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.
Kurti ka theksuar që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me komandantin e KFOR-it.
Në komunikatën për media të Qeverisë, thuhet se Kurti e ka mirëpritur shtimin trupave të KFOR-it në Kosovë, derisa ka kërkuar që kjo prezencë e shtuar të fokusohet në ruajtjen e kufirit me Serbinë.
“Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka juridiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi”, thuhet tutje.
Ndërsa, Kurti ka theksuar se e ka mirëpritur shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.
Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.
Kryeministri Kurti, po ashtu, theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes”, thuhet tutje në komunikatën për media.