Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot nënkryetaret e komunave veriore të vendit, përfshirë këtu atë të Mitrovicës së Veriut, Katarina Adjančić, nënkryetaren e Zveçanit, Natasa Tomanić, dhe nënkryetaren e Leposaviqit, Marina Bogojević, e që kjo e fundit mori pjesë virtualisht.
Në këtë takim, krahas kryeministrit ishte dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe këshilltarja e kryeministrit për Çështje të Komuniteteve, Elizabeth Gowing.
Temë diskutimi në këtë takim ishte situata aktuale në komunat në veri të vendit dhe për zhvillimet e fundit në raportet me fqinjin verior, me theks te veprimet e djeshme me rastin e ndalimit të qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare dhe kërcënimet publike nga Vuçiq.
“Vëmendje e veçantë gjatë takimit iu dha dhe mundësive për intensifikimin e investimeve dhe projekteve infrastrukturore në këto komuna, masave praktike që mund të lehtësojnë punësimin, sikurse masa e punësimit për 2000 banorë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, që është lansuar në shkurt të këtij viti, dhe procesit të regjistrimit të popullsisë. Për këtë të fundit, kryeministri vuri theksin te rëndësia e këtij procesi dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që pjesëmarrja në këtë proces ka edhe në ndarjen e drejtë të buxhetit për komuna dhe planifikimin strategjik të politikave dhe projekteve”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim është diskutuar edhe për votimin për shkarkimin ose jo të kryetarëve i cili mbahet me 21 prill dhe puna e institucioneve kosovare rreth organizimit të këtij procesi.
Kurti ka falënderuar nënkryetaret për angazhimin e tyre dhe punën që po bëjnë.