Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me përfaqësues nga komuniteti kroat në Kosovë.
Në këtë takim të pranishëm ishin dhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, dhe përfaqësuesit kroatë në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve pranë Presidencës, Josip Cirimotic dhe Silvana Palic.
Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi i Qeverisë me komunitetin dhe njohja më thellësisht me nevojat e tyre.
“U fol për angazhimin e Qeverisë me komunitetin gjatë vitit e ku Kryeministri shprehu kënaqësinë e tij në marrjen pjesë në Meshë për Krishtlindje në Kishën e Janjevës, si dhe pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar në festimin e 720 vjetorit të Kishës në Janjevë më herët gjatë vitit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Përfaqësuesit e komunitetit kroat kanë falënderuar kryeministrin Albin Kurti për mundësinë për të bashkëbiseduar mbi sfidat e tyre dhe mundësinë për bashkëpunim, derisa veçuan nevojën për mbështetje infrastrukturore në Janjevë.
Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë për të punuar në sigurimin e kushteve sa më të mira për komunitetin kroat në Kosovë.