Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve dhe çështjet e sigurisë.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, thuhet se gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për mundësitë e mëtejme të bashkëpunimit, në veçanti në fushën e ekonomisë, kulturës dhe sundimit të rendit e ligjit.
“Duke biseduar për çështjet e sigurisë u theksuan sfidat që vijnë nga agresioni rus në Ukrainë dhe lufta e zgjatur shkatërrimtare”, thuhet në njoftim.
Duke shprehur mirënjohjen e qeverisë së Kosovës për ndihmën dhe përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar ia ka dhënë Kosovës, kryeministri Kurti ka ritheksuar përkushtimin për thellim të mëtejmë të partneritetit dhe aleancës së ndërsjelltë.
Ndërkaq, Abbott, më 13 maj kishte thënë se aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës është sinjal i mirëpritur.
Sipas tij, me këtë aplikim shteti i Kosovës ka treguar se është i përkushtuar për sundim të ligjit dhe mbrojtje të të drejtave për qytetarët.
“Dëshira e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës është një sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë Abbot.
Dëshira e Kosovës për tu anëtarësuar në KE, sipas ambasadorit britanik në Kosovë, është shenjë gatishmërie për të “mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin e saj ndërkombëtar”.
Çfarë është Këshilli i Evropës?
E themeluar në vitin 1949, kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Si organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kyçe të Këshillit janë, Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.