Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar edhe me drejtorin ekzekutiv të MATTER, Steven Collens dhe menaxheren e partneritetit, Katie Kosko.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, thuhet se gjatë këtij takimi, i pari i ekzekutivit ka folur për prioritetet e mandatit të tij qeverisës.
“Në këtë takim, kryeministri Kurti foli për përmirësimet në indikatorët ekonomikë dhe të demokracisë, prioritetet e mandatit të tij dhe potencialin e vendit për investime, sidomos në fushën e Teknologjisë së Informacionit”, thuhet në njoftim.
Duke folur për agjendën e digjitalizimit, kryeministri Kurti ka theksuar se digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore dhe themelimi i Sistemit Informativ Shëndetësor janë dy prej objektivave kryesore nëpërmjet të cilave synon që të transformojë sektorin e shëndetësisë në vend.
“Me Collens dhe Kosko u diskutuan mundësitë premtuese të bashkëpunimit”, vijon njoftimi.
Ndryshe, MATTER është inkubator global i startup-eve në fushën e kujdesit shëndetësor, që përbëhet nga ndërmarrës, inovatorë dhe liderë të industrisë që punojnë me 200 startup-e të kujdesit shëndetësor, kompani partnere të 11 spitaleve, pesë universitete dhe mbi 40 kompani lidere të industrisë.
Ndërkaq, në ditën e parë të qëndrimit në shtetin e Illinois, kryeministri Kurti, ka zhvilluar takim me themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv, Adam Zeck, dhe drejtoren e Shitjeve, Marketingut dhe Operacioneve, Jeta Zagragja, e kompanisë UCX.
Kjo kompani, që nga maji i vitit të kaluar, ka filialin e saj edhe në Kosovë.
UCX është kompani lidere në SaaS (Software as a service) që u ofron shërbime mbi dy mijë e 500 bizneseve të ndryshme që të zgjerojnë kapacitetet e tyre të shitblerjes online (E-Commerce).
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeminsitrit, Kurti gjatë bisedës ka potencuar se qeveria e tij e mbështet zhvillimin dhe rritjen e potencialit dhe kapaciteteve të TI.
Ai i ka falënderuar drejtuesit e saj për mikpritjen dhe investimet e tyre në Kosovë, si dhe i ftoi ata që gjithmonë ta kenë në konsideratë Kosovën në planet e tyre të zgjerimit.
Po ashtu, gjatë vizitës zyrtare në SHBA, Kurti është nderuar nga Senati i Iowa-s.
Në një ceremoni të organizuar atje, ai është dekoruar me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas.