Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka pasur një darkë pune me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, dhe shefën e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila.
Në këtë darkë është diskutuar për zgjedhjet dhe sfidat e përmbushjes së agjendës legjislative.
“Në takim u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës, lidhur me procesin zgjedhor. Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës, si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, të shtunën e 11 majit, Kurti kishte ftuar në takim liderët e partive parlamentare të opozitës, Memli Krasniqin nga PDK, Lumir Abdixhikun nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK.
Ftesës së Kurtit iu kishte përgjigjur pozitivisht vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Në këtë takim, përveç tyre, ishin edhe shefat e Grupeve Parlamentare të të dyja partive, si dhe temat e diskutuara sipas kryeministrit u fokusuan në sfidat politike dhe legjislative që Kosova po përballon në këtë periudhë.
Kryeministri Kurti, pas takimit, ka thënë se me Krasniqin ka diskutuar për zgjedhjet e reja dhe, sipas tij, stinët më të përshtatshme për mbajtjen e tyre janë pranvera e vjeshta, por për caktimin e tyre tha se pret bashkëpunim me opozitën.
Lexo më shumë: “Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e Krasniqit
Por, ai ka theksuar se i duhet bashkëpunim me opozitën, sepse “konsiderojmë që është çështje e interesit të përgjithshëm”.
Ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kishte cilësuar ftesën si të vonuar për të gjetur një klimë bashkëpunuese.
Lexo më shumë: Abdixhiku nuk i shkon Kurtit në takim, thotë se ftesa e tij është e vonuar
“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë përherë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut për Kurtin.
Derisa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ftesa për takim bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.
Lexo më shumë: Ftesa e Kurtit për takim, Haradinaj: Kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare
Haradinaj ka thënë se kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri dhe i gjithë grupi parlamentar do të diskutojnë dhe do të gjejnë një gjuhë, e cila pastaj do të përcjellet në Kuvendin e Kosovës.