Të martën e 19 prillit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ish-komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë viteve 1997-2000, gjeneralin Wesley K. Clark.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit, ku thuhet se gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimin e ekonomisë dhe reformat e nisura nga qeveria.
“Duke biseduar për angazhimin e qeverisë ndaj perspektivës së re të energjisë, u tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të punojë drejt diversifikimit të burimeve energjetike të vendit dhe ruajtjen e sigurisë së furnizimit”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Emilija Rexhepi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe investitorë të huaj.
Gjatë diskutimit, ministrja Rizvanolli ka folur për procesin drejt finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe planit të veprimit, për një tranzicion të drejtë energjetik për vendin.
Po ashtu, sipas njoftimit thuhet se është ritheksuar angazhimi i Qeverisë për të tërhequr investitorë që do të zhvillojnë kapacitete të reja energjetike që ofrojnë siguri të furnizimit.
Ndërkaq, Gjenerali Clark e uroi kryeministrin për të arriturat e deritanishme dhe shprehu mbështetje për synimet e qeverisë.
Ndryshe, më 24 mars të këtij viti ish – komandant suprem i forcave të bashkuara të NATO-s për Evropën, Ëesley Clark, përmes një video-mesazhi i është drejtuar Kuvendit të Kosovës, e cila ka mbajtur një seancë solemne për nder të 23 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë.
Gjatë fjalimit të tij kishte potencuar se për të është nder i jetës që pati mundësinë të ndihmojë ndalimin e spastrimit etnik të Serbisë në Kosovë.