Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar Gjenerallejtënantin amerikan Michael Fenzel, koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Izrael dhe Palestinë.
Në njoftimin e lëshuar nga qeveria thuhet se Kurti i theksoi investimet në mbrojtje dhe armatim, bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mike e veçantë, partnere e pazëvendësueshme dhe aleate e madhe e vendit, “dhe kontributin e çmueshëm të saj në çlirim, pavarësim dhe demokratizim të vendit, por edhe në avancimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Ndër tjera, shtohet se kryeministri veçoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, nga blerja e sistemit raketor anti-tank Javelin e helikopterët Black Hawk, deri te bashkëzbarkimi me trupat amerikane në Kuvajt, dhe pjesëmarrja si vend pritës në ushtrimin Defender Europe 25, por edhe në fushën humanitare me ndihmën e dhënë për strehimin në Kosovë të refugjatëve afganë.
Në takim u diskutua për mundësitë e përfshirjes dhe kontributit të Kosovës në nisma të udhëhequra e të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të përbashkët.
