Takimin e radhës në Strasburg, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e zhvilloi me eurodeputetin spanjoll nga radhët e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), njëherësh kryetarin e Komitetit LIBE për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme në Parlamentin Evropian, Juan Fernando Lopez Aguilar.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, tema të diskutimit ishin zhvillimet e fundit, qeverisja dyvjeçare, reformat në sistemin e drejtësisë, sundimi i ligjit dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjet e deritanishme që Komiteti LIBE i ka dhënë Kosovës për largimin e regjimit të vizave, mbështetje që uron ta marrë edhe në votimin e radhës në këtë komitet, dhe tha se pas vendimit të javës së kaluar të Këshillit të Bashkimit Evropian pret që së shpejti Parlamenti Evropian të kryej dy votimet e fundit në kuadër të këtij procesi”, thuhet në njoftim.
Duke folur për dyvjeçarin e qeverisjes, Kurti, krahas vlerësimeve të brendshme, iu referua raporteve ndërkombëtare, përfshirë atë të Bashkimit Evropian, të cilat sipas tij po dëshmojnë përmirësimet dhe përparimet në rrafshin ekonomik dhe demokratik të vendit.
“Raporti i BE-së për Vendin i vitit të kaluar ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën. Sipas Projektit të Drejtësisë Botërore (Ëorld Justice Project) Kosova për të dytin vit radhazi, renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit, ndërkaq në vitin 2022 u rendit e dyta në botë për nga përmirësimi vjetor”.
Ndërkohë, raporti për këtë vit i Freedom House renditi Kosovën të parën në Ballkan, të dytën në Evropë dhe të tretën në botë për nga përmirësimi në të drejtat politike dhe liritë civile, në një kohë që për të 17-tin vit me radhë liritë në nivel global kanë pësuar rënie.
Eurodeputeti Aguilar shprehu mbështetjen e tij për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, si dhe për konkludimin e procesit të liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian, ashtu që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm e pa viza në zonën Shengen nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe dy këshilltarët e zëvendëskryeministrit të parë, Fatmir Curri dhe Sebastien Gricourt.