Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Turqi, ka njoftuar se është takuar me shkrimtarin nobelist turk, Orhan Pamuk, me të cilin tha se kanë diskutuar për shumë çështje.
Kurti, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, tregoi se shkrimtari i njohur turk, Orhan Pamuk, ishte i interesuar për Kosovën, shqiptarët dhe për Ballkanin, duke theksuar se “temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë”.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin ‘Sur Balık-Cihangir’ të lagjes ‘Beyoğlu’ në Stamboll, temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë”, ka thënë Kurti.
Me shkrimtarin turk, Kurti tha se arritën “të shkruajnë përmbledhje hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme”.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin ‘Sur Balık-Cihangir’ të lagjes ‘Beyoğlu’ në Stamboll, temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, ka shkruar Kurti.
Nobelisti turk, Orhan Pamuk, 71-vjeçar, është i njohur për shumë vepra, por më të njohurat konsiderohen “Muzeu i Pafajësisë” dhe “Emri im është e kuqja”.
Ndërkaq, kryeministri gjatë vizitës në Turqi është takuar edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me 31 maj ka nisur vizitën e tij në Turqi, ku në kryeqytetin Ankara pritet të zhvillojnë një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, e cila mbrëmjen e së enjtes njoftoi për takimin e Kurtit që e zhvilloi me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
“Ky takim u zhvillua në prag dhe të vizitës zyrtare të kryeministrit Kurti në Ankara dhe Stamboll ditët e ardhshme, ku në mesin e agjendës do të ketë mundësi të zhvillojë dhe një takim bilateral me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri i Kurti thuhet se është i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi.
Siç ka njoftuar ZKM-ja, në takimin mes ambasadorit turk dhe kryeministrit Kurti është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve.
Qëndrimin në Turqi, kryeministri Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
“Në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë, ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia, si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”, thuhet tutje në njoftimin e lëshuar nga ZKM-ja.
Ndër të tjera, në takimin me ambasadorin turk, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë e popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës.
Kurti: Kosova e Turqia të avancojnë bashkëpunimin në ekonomi e siguri