Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me zëvendëspresidentin e Zvicrës, Alain Berset, në Forumin Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos, ku ky i fundit ka theksuar mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gjatë takimit u vlerësuan lart marrëdhëniet e afërta miqësore dhe lidhjet e ngushta njerëzore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Berset ka deklaruar se Kosova është shtet prioritar për Konfederatën Zvicerane.
“Zëvendëspresidenti Berset konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Zvicrës për aplikimin zyrtar të Kosovës në KiE, në një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha evropiane, që qytetarëve të Kosovës do t’u mundësojë të përdorin mekanizmat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Gjatë këtij takimi, është theksuar zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për interesat dhe çështjet e përbashkëta, siç janë zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës, stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor.
“U vlerësua angazhimi prej shumë vitesh i Zvicrës në arritjen e këtyre objektivave, që reflektohet edhe në programet e bashkëpunimit zhvillimor dhe mbështetjes së paqes”, vijon njoftimi.
Po ashtu, duke biseduar lidhur me zhvillimet në Ukrainë, Berset ka theksuar se Zvicra mirëpret pozicionimin e qartë të Kosovës.
“Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë për bashkërendim dhe bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, për të kundërshtuar agresionin e Rusisë, por edhe për t’u përballur me ndikimin e pasojat e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Pos kësaj, në takim është biseduar edhe për mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, për të siguruar drejtësi sociale dhe ekonomike, si dhe mundësitë e shkëmbimit bilateral në fusha të ndryshme, e veçanërisht në shëndetësi.
Kryeministri Kurti theksoi stabilitetin institucional, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë në Kosovë.
Ai potencoi mërgatën e Kosovës në Zvicër, si pjesë integrale për zhvillimin e vendit tonë.
Kryeministri Kurti, të hënën e 23 majit, ka udhëtuar drejt Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, që do të mbahet në qytetin Davos.