Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti ka shprehur kënaqësinë që ishte për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë, ndërkaq i përgëzoi për përkushtimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade.
Kurti beson se të drejtat e njeriut janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit.
“Gjithçka bëhet aq e vështirë sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut”, ka shtuar Kurti.
Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, kryeministri Kurti bëri thirrje që të vazhdohet diskutimi i hapur për mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raporteve dhe analizave të këtyre organizatave për të drejtat e njeriut, e sidomos për aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut, të pakicave etnike, të komunitetit LGBTIQ+, të atyre që janë të varfër, të atyre të cilët për një arsye ose tjetër kanë ngelur të pashkolluar, të paarsimuar dhe të atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo nevojat e veçanta dhe të atyre të cilët konsiderojnë pse janë fatkeq në jetë meqenëse kanë pasur një aksident ose edhe kanë bërë një zgjedhje të gabuar në jetë që po u kushton për tërë jetesën e mëtutjeshme.
“Me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri”, ka vijuar ai.