Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook rreth mbështetjes së qeverisë gjatë vitit 2022 që sipas tij ka qenë e vazhdueshme, ndërkaq qeverinë e ka emëruar “Qeveria për rritje të mirëqenies”.
Kurti përmes këtij postimi ka përmbledhur mbështetjet që Qeveria gjatë vitit 2022 u ka ofruar qytetarëve.
Ai ka përmbledhur dy pako me të cilat janë mbështetur drejtpërdrejt qytetarët, Pakoja për ringjallje ekonomike dhe Pakoja për përballje me inflacionin.
“Ndamë shtesa për 30 mijë lehona dhe për 260 mijë fëmijë. Brenda një viti, me dy Pako mbështetëm drejtpërdrejt rreth 800 mijë qytetarë të Republikës, pothuajse secilën famije.1) Pako për Ringjallje Ekonomike- 100 milionë euro. Dyfishuam asistencën sociale për rreth 26 mijë familje në muajin prill. Ndamë nga 100 euro për rreth: 300 mijë pensionmarrës; 240 mijë punëtorë të sektorit privat; 74 mijë punëtorë të sektorit publik; 50 mijë studentë. Shpërndamë afër 37 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë”.
“2) Pako për përballje me Inflacion 150 milionë euro. Dyfishuam asistencën sociale për mbi 24 mijë familje në muajin shtator. Ndamë nga 100 euro shtesë për rreth: 290 mijë pensionmarrës; 12 mijë punëtorë të ndërmarrjeve publike; 51 mijë studentë”, ka shkruar Kurti.
Ai, ka theksuar se janë ndihmuar me subvencione edhe punëtorët e sektorit publik dhe privat, janë punësuar qytetarë përfshirë këtu gra, vajza, burra dhe persona me aftësi të kufizuara.
“Për 76 mijë punëtorët e sektorit publik ndamë nga 50 euro shtesë (shtator – dhjetor). Subvencionuam 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muaj. Me skemën e punësimit “Qeveria për Familjet”, u punësuan 770 punëtorë. Me masën 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra. Në vitin për personat me aftësi të kufizuara: u punësuan 239 persona (119 burra dhe 120 gra)”, ka theksuar Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se janë subvencionuar tarifat e energjisë për qytetarët, faturat e energjisë për kursimtarët dhe për më shumë se tetë mijë familje janë blerë pajisjet për ngrohje.
“Subvencionuam: Tarifat e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët e bizneset që nga shkurti 2022, Faturat e energjisë elektrike për kursimtarët (mbi 200 mijë përfitues), Blerjen e pajisjeve efiçente për ngrohje për mbi 8 mijë familje”, ka përfunduar Kurti.