Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për takimin e tij më emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke thënë se është diskutuar për dy tema, deeskalimin dhe normalizimin.
Takimi, sipas Kurtit, ka filluar me vërejtjen e tij që masat ndaj Kosovës janë të padrejta, ndonëse thuhet se janë të përkohshme, “meqenëse Kosova nuk mban asnjë faj”.
“Sa i përket deeskalimit, unë kam thënë se Qeveria e Kosovës kurrsesi nuk kontribuon në eskalim, i kam siguruar që policët e Kosovës në komunat në veri të vendit tonë nuk po e zhvillojnë operacionin në rrethinën e atyre ndërtesave, sepse komunikatën që e pati lëshuar Borrell nga Moldavia thoshte që në afërsi të ndërtesave të mos ketë operacion të Policisë së Kosovës, unë edhe një herë ua konfirmova këtë. Gjithashtu, sipas kërkesës së tyre, kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në veri, sepse janë e vetmja mënyrë se si të bëhet ndërrimi i pushtetit, i cili nuk mund të bëhet me dhunë, duke plagosur ushtarët e NATO-s, Policinë e Kosovës apo gazetarët”, ka thënë Kurti.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, Kurti ka theksuar se sa i përket normalizimit, ai e ka vënë theksin për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së arritur në Bruksel me Serbinë.
“Unë po e vë theksin se kemi nevojë për zbatim të Marrëveshjes, sepse shumëçka që kumtohet sot në media e ka krijuar përshtypjen thuajse nuk kemi zgjidhje, apo Marrëveshje. Në fakt nuk kemi zgjidhje sepse nuk kemi zbatim të Marrëveshjes, dhe për këtë Kosova nuk ka kurrfarë faji. Nga Lajçak kërkova që marrëdhëniet normale me Serbinë do të mund të bëhen duke mos i braktisur vlerat evropiane”.
Ai e cilëson si pozitiv takimin me Lajçak.
“Takimi i djeshëm për bindjen time ka qenë pozitiv, me atë përshtypje besoj ka dalë edhe Lajçak, do të ketë edhe takim me zëvendësin tim, kryenegociatorin Besnik Bislimin, dhe të shohim se si mund të punojmë në këto dy drejtime. Unë besoj se çfarë ka kontribuuar shumë në deeskalim është pikërisht ndarja ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm në njërën anë dhe të komunitetit serb në anën tjetër. Qytetarët, pavarësisht etnisë, janë përgjithësisht të mirë dhe paqësor, por ekstremistët e dhunshëm, grupet kriminale janë ato me të cilët duhet të merren organet e rendit dhe sistemi i drejtësisë”.