Kryeministri, Albin Kurti ka folur rreth progresit në qeverisjen digjitale, duke thënë se Kosova ka avancuar nga grupi C i vendeve me fokus të kufizuar, në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale.
“Tashmë janë lansuar mbi 150 shërbime elektronike në e-Kosova, duke përfshirë certifikatat e digjitalizuara të gjendjes civile, certifikatën e pronës dhe kopjen e planit, obligimet e tatimit në pronë e gjobave në trafik, vazhdimin e regjistrimit të veturës, certifikatën digjitale për historinë penale dhe aplikimet për shtesa, benefite, grante e subvencione të ndryshme. Gjithashtu, është realizuar mundësia që ato shërbime elektronike që janë me pagesë, të mund të paguhen online drejtpërdrejtë në e-Kosova, ku të regjistruar janë mbi 815 mijë përdorues”, ka shkruar Kurti.
Tutje ai ka theksuar se “progresi i arritur në qeverisje digjitale është njohur edhe nga indeksi i Bankës Botërore për Maturitet të Teknologjisë për Qeverisje (GTMI), ku Kosova ka avancuar nga grupi C i vendeve me fokus të kufizuar, në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale”.
Ai ka bërë të ditur se Strategjia e Sigurisë Kibernetike 2023-2027, e cila përmes një investimi prej 9.8 milionë euro nga qeveria dhe donatorët, adreson nevojën për forcim të sigurisë kibernetike kombëtare.
“Në rrugën tonë drejt transformimit digjital, po sigurohemi që këtë ta bëjmë në mënyrë sa më të sigurt. Strategjia e Sigurisë Kibernetike 2023-2027, e cila përmes një investimi prej 9.8 milionë euro nga qeveria dhe donatorët, adreson nevojën për forcim të sigurisë kibernetike kombëtare. Ndërkaq Strategjia e e e-Qeverisjes 2023-2027 është një strategji gjithëpërfshirëse për digjitalizim në qeveri, që parasheh një investim prej 48 milionë euro nga qeveria dhe donatorët. Ajo adreson aspektet teknologjike, njerëzore dhe organizative të nevojshme për rritjen e shërbimeve elektronike që në qendër e kanë qytetarin, krijimin e avancimin e platformave të përbashkëta digjitale për institucionet qeveritare, si dhe kultivimin e inovacionit në sektorin publik”, ka thënë Kurti.
Më tej, në Kuvend është miratuar ligji për “identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, që paraqet një legjislacion shumë të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit. Ligji rregullon identifikimin elektronik dhe nënshkrimin elektronik. Zbatimi i tij, hap rrugë për digjitalizimin e plotë të shumë shërbimeve të tjera”.
“Për të garantuar një hapësirë kibernetike të sigurt është miratuar edhe ligji për sigurinë kibernetike. Përmes tij, themelohet Agjencia përkatëse dhe përcaktohen standardet minimale të sigurisë kibernetike në infrastrukturën kritike. Ndërsa plotësim-ndryshimi i kodit penal dhe kodit të procedurës penale, ka mundësuar përfshirjen në legjislacionin vendor të veprave penale që kanë të bëjnë me krimet kibernetike, bazuar në Konventën e Budapestit”.
Ndër të tjerai, ai ka thënë se hartimi i legjislacionit është një proces i brendshëm i rëndësishëm i shtetit.
“Për këtë qëllim, kemi zhvilluar dhe funksionalizuar edhe sistemin elektronik për hartimin e legjislacionit (LDS), i cili digjitalizon tërë ciklin e hartimit të legjislacionit primar dhe sekondar. Nga faza e përfshirjes në planin legjislativ e deri në miratimin e tyre në organet përgjegjëse qeveritare”, vijon ai.
Kurti ka theksuar se Agjenda Digjitale 2030 synon një administratë publike më transparente dhe llogaridhënëse, shëndetësi më efikase, arsim më cilësor, shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset, ekonomi më produktive, si dhe rritje e zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik dhe shoqëror.
“Me Agjendën Digjitale 2030 të miratuar këtë vit synojmë të kontribuojmë për një administratë publike më transparente dhe llogaridhënëse, shëndetësi më efikase, arsim më cilësor, shërbime më të mira për qytetarët dhe bizneset, ekonomi më produktive, si dhe rritje e zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik dhe shoqëror”, ka përfunduar Kurti.