Kryeministri i Kosovës, Albin kurti, u është drejtuar qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë në gjuhën serbe, ku flet për rezultatet në përmbylljen e tremujorit të parë të vitit të dytë të qeverisjes Kurti.
Në videon e publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, shefi i ekzekutivit, ka thënë se zhvillimi ekonomik ka qenë dhe mbetet prioritet, duke shtuar se politikat e qeverisë së tij kanë dhënë rezultate pozitive.
Mes sukseseve të qeverisë së tij, Kurti përmend dhe ngritjen e pagës minimale, ndërkohë që adreson edhe rritjen e çmimeve në muajt e fundit.
Ai ka thënë se Kosova varet nga importet, duke u shfajësuar për rritjen e çmimeve.
Po ashtu, përmend edhe politikat sociale të qeverisë së tij që lidhen me mbështetjen e pensionistëve, studentëve, punëtorëve dhe qytetarëve gjatë muajve të fundit të krizës.
Teksa përmend dhe çështje të tjera, përfshirë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), Kurti duke iu drejtuar qytetarëve, u ofron bashkëpunim dhe thotë se është i hapur për propozime dhe sugjerime.
“Shteti ynë i ka të gjitha mjetet dhe potencialin që të bëhet vend i zhvillimit të gjithanshëm”, ka theksuar Kurti.
Sipas tij, duhet të punohet së bashku që të arrihet synimi kryesor.
“Unë jam i hapur ndaj propozimeve dhe sugjerimeve tuaja, andaj më shkruani”, ka përfunduar Kurti.
Ndryshe, të martën e 21 qershorit, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për energjinë.
Këtë e ka bërë të ditur, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajcak.
“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Zëvendëskryeministri i parë dhe kryenegociatori, Besnik Bislimi, ka thënë se kjo e arritur në Bruksel, do të mundësojë faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të vendit.