Kryeministri Albin Kurti, gjatë takimit me kryetarët e komunave të Kosovës, u ka premtuar rritje të buxhetit komunal për vitin e ardhshëm, duke arritur vlerën prej 742 milionë euro, që siç ka thënë ai, është gati 200 milionë euro më shumë se nga vlera e ndarë e Qeverisë së mëparshme.
“Komisioni i Granteve mbajti një takim të rëndësishëm, në të cilin, u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë kësaj qeverisjeje sesa asaj të mëparshme. Që do të thotë se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat, që presin të konkretizohen përmes një bashkëpunimi mes të gjithë neve”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, ky buxhet është dëshmi se komunat e kanë vëmendjen e Qeverisë dhe se do të vazhdojë përkrahja ndaj tyre.
Gjatë fjalës hyrëse, Kurti u ka uruar mirëseardhje të veçantë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave në veri të vendit, të cilët i janë bashkuar takimit për herë të parë.
“Takimet koordinuese në mes të nivelit qendror dhe atij lokal janë takimet ku ka më së shumti përfaqësues të qytetarëve, e rrjedhimisht edhe temat, të cilat trajtohen janë më të dobishmet dhe kanë fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë Kurti.
Siç ka raportuar Zyra e Kryeministrit, kryeministri ka theksuar se lajm i mirë për Kosovën është kandidimi i vendit tonë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
“Një ngjarje e tillë, përveç se mundësi e mirë për të përmirësuar infrastrukturën publike, ajo paraqet një platformë ideale për afirmim të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye, Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm një projekt i sektorit të sportit. Ato duhet të shikohen si projekt zhvillimor shtetëror dhe mobilitet për rininë tonë”, ka deklaruar Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat që pritet të konkretizohen mes bashkëpunimit të tyre.