Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shaip Kamberin, i cili arriti të sigurojë edhe një mandati si deputet në Parlamentin e Serbisë.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti ka pritur në takim liderët e koalicionit “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon”, koalicion që fitoi një mandat në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Gjatë takimit, kreu i ekzekutivit ka theksuar rëndësinë për unifikim të spektrit politik shqiptar në Luginë.
“Kryeministri e uroi për mandatin e ri deputetin e rikonfirmuar, Shaip Kamberi. Me këtë rast u theksua rëndësia e unifikimit të spektrit politik shqiptar, për të garantuar përfaqësimin politik e zërin shqiptar në parlamentin atje. Ky bashkim që erdhi në prag të zgjedhjeve e me qëllim të përbashkët, ka dëshmuar se pluralizmi partiak rreth unitetit kombëtar është vlerë e shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Gjatë bisedës, kryeministri Kurti konfirmoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vazhdojë e do të fuqizohet në përkrahje të shqiptarëve si pakicë kombëtare në Serbi, që siç thotë ai, përballet me diskriminim sistematik të institucioneve shtetërore.
“Gjatë ditës së sotme, deputetin Kamberi e mirëpriti në takim dhe zëvendëskryeministri Bislimi, i cili e uroi atë për rezultatin e arritur, duke theksuar nevojën për forcimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.