Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Hristijan Mickoski për marrjen e detyrës si kryeministër i ri i Maqedonisë së Veriut.
Në urimin e tij, Kurti ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm fqinjë, por janë aleatë dhe partnerë të ngushtë me orientim drejt NATO-s, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE.
“Urime për MickoskiHM për zgjedhjen tuaj kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm fqinj, por janë aleatë dhe partnerë të ngushtë në orientimin në NATO, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE”, ka shkruar Kurti në rrjetin social “X”.
Congratulations to @MickoskiHM on your election as Prime Minister of the Republic of North Macedonia. Kosova and North Macedonia are not only neighbors but close allies and partners, in NATO orientation, regional cooperation and EU integration. From the Prizren–Tetova road to…
— Albin Kurti (@albinkurti) June 25, 2024
Kurti ka thënë se nga rruga Prizren-Tetova deri te mbrojtja dhe siguria, pret me padurim të punojë me Mickoskin për t’i forcuar marrëdhëniet bilaterale.
“Nga rruga Prizren-Tetova deri te mbrojtja dhe siguria, pres me padurim të punoj me ju për t’i përmirësuar edhe më tej marrëdhëniet tona tashmë të forta dypalëshe”, ka vijuar Kurti.
Ndryshe, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut filloi ditën e parë të punës më 24 qershor.
Talat Xhaferi ia dorëzoi detyrën kryeministrit të ri dhe liderit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, Qeveria e të cilit u zgjodh nga deputetët e Kuvendit të dielën, me 77 vota për.
Kabineti i Mickoskit, i përbërë nga 23 ministra, pesë prej të cilëve zëvendëskryeministra, ka prezantuar një program prej 60-faqesh.
Përveç VMRO DPMNE-së, pjesë e Qeverisë janë edhe koalicioni VLEN dhe partia politike ZNAM.