Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një urim të veçantë për fillimin e vitit të ri shkollor për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar rëndësinë e këtij momenti, veçanërisht për nxënësit e rinj që për herë të parë ulen në bankat e shkollës.
“Në veçanti, uroj të gjithë nxënësit që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Për ta sot fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre, por edhe të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social, Facebook.
Kurti ka shprehur bindjen se kjo periudhë e re do të jetë një rrugëtim i rëndësishëm për të ardhmen e nxënësve dhe për të ardhmen e Kosovës.
Ai ka përmendur vendimin e ri të Ministrisë së Arsimit për të siguruar tekstet shkollore dhe materiale të nevojshme shkollore me anë të prindërve.
“Për të përmbushur obligimin tonë për të siguruar tekstet shkollore, këtë vit kemi zgjedhur një rrugë të re. Po ashtu, si asnjë vit më parë, përveç teksteve shkollore po ndajmë edhe mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit tanë”, ka shkruar tutje ai.
Kurti ka bërë një prezantim të hollësishëm të vendimeve të Qeverisë, që sipas tij, kanë përmirësuar arsimin në vend.
Ai përmendur zgjerimin e arsimit dual në disa profile të ndryshme, ndihmën për lidhjen mes arsimit dhe ekonomisë, si dhe investimet në edukimin e fëmijëve të moshës së hershme.
“Ndërkohë që kemi miratuar Ligjin për Edukim në Fëmijërinë e Hershme, kemi finalizuar kurrikulën për edukim në fëmijërinë e hershme dhe jemi duke investuar në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel të edukimit”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Kurti ka përfunduar mesazhin e tij me një ftesë për përpjekje dhe përkushtim për të arritur një arsim cilësor që do të ndihmojë të rininë të zhvillojë potencialin e saj dhe të realizojë ëndrrat dhe synimet e tyre.
Edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka uruar fillim e vitit të ri shkollor për nxënësit.
Me anë të një postimi të ri në Facebook, Osmani ka shkruar se kjo kohë paraqet një kohë për rritje dhe mësim të pafund.
“Sot fëmijët në Kosovë kthehen në shkollë, ndërsa nxënësit e klasës së parë nisin një kapitull të ri emocionues në udhëtimet e tyre. I urojmë më të mirët mendjeve tona të shkëlqyera të të rinjve në të gjithë vendin tonë, ndërsa ata zhyten në këtë vit të ri akademik – një kohë për rritje dhe mësim të pafund!”, ka shkruar Osmani.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidentes, Osmani ka theksuar se beteja për dije nuk përfundon kurrë.